Shqipëria zgjidhet anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s

June 19, 20264 views2 min read
Shqipëria zgjidhet anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s
Shqipëria u zgjodh anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO për mandatin 2026-2030. Sipas ministrit Blendi Gonxhja ky është një vlerësim për punën e institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve që kanë kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale. “Me 73 vota në favor, vendi ynë ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për vendimmarrje në mbrojtjen, promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore jomateriale. Ky është një moment krenarie për Shqipërinë dhe një vlerësim i punës së institucioneve tona, ekspertëve, komuniteteve bartëse të trashëgimisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë tonë shpirtërore”,  thotë Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në një reagim në rrjete sociale. Ministri i MTKS-së thotë se ky besim është një përgjegjësi e madhe dhe shton se si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Jomateriale. “Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha shtetet që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë dhe na besuan këtë mandat katërvjeçar. Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale”, përfundon ministri Blendi Gonxhja. Komiteti Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale është një organ i krijuar brenda UNESCO-s. Ai ka për detyrë të promovojë objektivat e Konventës dhe të ndihmojë zbatimin e saj; udhëheqë dhe japë rekomandime për masat e ruajtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale; shqyrtojë dhe miratojë elemente të trashëgimisë që shtetet propozojnë për listat e UNESCO-s; zgjedhë dhe mbështesë programe e projekte që ndihmojnë ruajtjen e trashëgimisë.

Related