Shqipëria në tryezën europiane të bibliotekave, pjesëmarrje në konferencën e CENL

June 19, 20265 views1 min read
Shqipëria në tryezën europiane të bibliotekave, pjesëmarrje në konferencën e CENL
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u përfaqësua në Konferencën Vjetore të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Europës (CENL), rrjeti që bashkon bibliotekat kombëtare të kontinentit dhe promovon bashkëpunimin, inovacionin dhe mbrojtjen e trashëgimisë dokumentare europiane. Sipas Bibliotekës Kombëtare, ky është një nga forumet më të rëndësishme profesionale të fushës, ku drejtues dhe ekspertë të institucioneve të kujtesës shkëmbejnë përvoja, vizione dhe praktika mbi të ardhmen e bibliotekave, transformimin digjital, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe garantimin e aksesit të barabartë në dije. “Prania e Shqipërisë në këto tryeza europiane është një dëshmi e angazhimit për të qenë pjesë aktive e dialogut ndërkombëtar mbi të ardhmen e kulturës, dijes dhe institucioneve të kujtesës. Pjesëmarrja në këtë ngjarje përfaqëson jo vetëm një mundësi të çmuar për bashkëpunim ndërkombëtar, por edhe një vlerësim të rolit që Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë luan në ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e trashëgimisë sonë dokumentare e kulturore”, thuhet nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë për këtë konferencë, që u zhvillua në Luksemburg. Biblioteka Kombëtare është institucioni kryesor në vend, që ruan dhe administron fondin kombëtar të librave. Nga institucion në varësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kaloi në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

Related