Restaurohet mozaiku i Bazilikës B në Bylis, puna kthehet edhe në një eksperiencë praktike për studentët nën…

June 19, 20267 views2 min read
Nga Julia Vrapi Mozaiku i Bazilikës B në parkun arkeologjik Bylis është restauruar. Ndërhyrja në mozaik u realizua përmes një projekti, që synon forcimin e turizmit kulturor dhe mbrojtjen e monumenteve kulturore. Gjatë procesit të restaurimit të mozaikut të Bazilikës B në parkun arkeologjik Bylis studentë, profesionistë dhe komuniteti lokal u përfshinë në një eksperiencë praktike nën drejtimin e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Restaurimi i mozaikut u realizua përmes projektit të financuar nga Bashkimi Europian “BE për Zhvillim Ekonomik- Zhvillimi Ekonomik Lokal përmes Turizmit, me fokus trashëgiminë kulturore”, i bashkëfinancuar dhe zbatuar nga AICS, në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ndër të tjera në faqen e “European Union in Albania” thuhet se kjo ndërhyrje restauruese ndihmon në ruajtjen e një pjese të trashëgimisë kulturore në vendin tonë. “Mozaiku i Bazilikës B në Bylis është restauruar, duke ndihmuar në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Përmes modelit Scuola Cantiere / Kantier i Hapur Restaurimi, puna në mozaik u kthye edhe në një eksperiencë praktike për studentë, pedagogë, profesionistë të trashëgimisë dhe komunitetin lokal, nën drejtimin e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Një mozaik i restauruar. Aftësi të reja. Kapacitete më të forta lokale. Kështu e mbështet BE-ja kulturën, turizmin dhe zhvillimin lokal në Shqipëri”, thuhet rreth ndërhyrjes restauruese në mozaik. Disa ditë më parë më 5 qershor në parkun arkeologjik të Bylisit, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Mallakastër, AICS Tiranë dhe partnerë të projektit u mblodhën për mbledhjen e 4-të të Komitetit Drejtues të projektit “BE për Zhvillimin Ekonomik – Turizëm Zhvillimi Ekonomik Lokal me fokus në Trashëgiminë Kulturore. Takimi ofroi një mundësi për të shqyrtuar progresin e arritur që nga Komiteti Drejtues i mëparshëm dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm strategjikë për zbatimin e projektit. Parku arkeologjik Bylis Parku arkeologjik Bylis është një nga sitet unik në Shqipëri, për densitetin e lartë të monumenteve me mozaik. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike. Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin, ai ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek III p.K. Për ndërtimin e teatrit është zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Edhe nga stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri. Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta. Gjatë shekullit V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri.

Related