Përfundojnë gërmimet arkeologjike në Amantia, zbulohet një godinë antike dhe të dhëna të reja për historinë e qytetit

June 1, 202613 views2 min read
Përfundojnë gërmimet arkeologjike në Amantia, zbulohet një godinë antike dhe të dhëna të reja për historinë e qytetit
Nga Julia Vrapi Gërmimet arkeologjike në parkun e Amantias, sollën zbulime të rëndësishme për njohjen e organizimit urbanistik dhe historisë së këtij qyteti antik. Parku arkeologjik i Amantias është një nga destinacionet turistike për qarkun e Vlorës, ku gërmimet arkeologjike u zhvilluan nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit thekson gjithashtu se kërkimet do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, së bashku me ndërhyrje restauruese. “Përfunduan gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Amantias, të cilat sollën zbulime të rëndësishme për njohjen e organizimit urbanistik dhe historisë së këtij qyteti antik. Gërmimet e zhvilluara nga DRTK Vlorë dhe IKTK, nxorën në dritë një godinë antike në zonën e agorasë, si edhe të dhëna të reja mbi fortifikimin e qytetit të poshtëm, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës dhe zhvillimit të Amantias nga shek. III p.Kr. deri në shek. VI m.Kr. Kërkimet do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, së bashku me ndërhyrje restauruese që synojnë ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Gërmimet arkeologjike në parkun e Amantias hedhin dritë mbi një tjetër kapitull të historisë së këtij qyteti të lashtë, ndërsa janë si vijim i punës  nga institucionet dhe në zona të tjera arkeologjike në vendin tonë. DRTK Vlorë e ushtron veprimtarinë e saj në qarkun Vlorë dhe Fier. DRTK Vlorë monitorohet dhe koordinohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. DRTK Vlorë ka si qëllimin e saj kryesor mirëmbajtjen, restaurimin, dhe promovimin e objekteve të ndryshme që janë monument kulture. Për të arritur këto qëllime DRTK Vlorë kryen ndërhyrje në objekte, të cilat kanë nevojë për mirëmbajtje ose për restaurime. Parku arkeologjik i Amantias Parku arkeologjik i Amantias vijon të mbetet një nga pasuritë më të çmuara historike dhe kulturore të Shqipërisë. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Parku arkeologjik i Amantias ofron edhe monumentet unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor, etj.

Related