Specialisti i urbanistikës Imeld Sokoli: “Rrjolli po zhduket mes propagandës dhe ndërhyrjeve të rënda në mjedis”

May 29, 202646 views1 min read
Specialisti i urbanistikës Imeld Sokoli: “Rrjolli po zhduket mes propagandës dhe ndërhyrjeve të rënda në mjedis”
Debati për projektin turistik në zonën e Rrjollit nuk është më thjesht një përplasje opinionesh politike — është një alarm i fortë për një krim që po i bëhet natyrës së fundit të paprekur të veriut! Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër, u rikthye edhe njëherë revolta qytetare ndaj asaj që shumë banorë dhe aktivistë po e quajnë shkatërrim brutal të bregdetit. Anëtari i Këshillit Bashkiak, Imeldi Sokoli, ka hedhur poshtë deklaratat e zbukuruara të Bashkisë Shkodër, duke publikuar pjesë nga dokumentacioni zyrtar për Vendimin e Ndikimit në Mjedis. Në letra flitet për “ndërhyrje të kontrolluara”, “masa mbrojtëse”, “ruajtje ekosistemesh” dhe madje “rritje të sipërfaqeve të gjelbra”. Një propagandë e pastër burokratike që tenton të mbulojë realitetin me fjalë boshe! Sepse realiteti në terren flet ndryshe. Pamjet filmike nga zona tregojnë qartë plagët e hapura mbi natyrën, shkatërrimin e territorit dhe agresionin ndaj një prej perlave më të rralla të bregdetit shqiptar. Aty ku dikur mbizotëronte qetësia dhe natyra e egër, sot po ngrihet zhurma e betonit dhe lakmisë. “Ndërkohë masakra mjedisore asht prezente në videon bashkangjitun. Kujt t’i besojmë, deklaratës apo videos?”, shkruan Sokoli, duke goditur hapur kontradiktën mes propagandës zyrtare dhe asaj që shohin sytë e qytetarëve. Rrjolli nuk është pronë private e askujt. Nuk mund të sakrifikohet një pasuri natyrore kombëtare për interesa të errëta dhe projekte që kërcënojnë identitetin ekologjik të zonës. Qytetarët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe ndalim të menjëhershëm të çdo ndërhyrjeje që cenon natyrën. Sepse kur shkatërrohet natyra, nuk humbet vetëm peizazhi — humbet identiteti, historia dhe e ardhmja e një qyteti të tërë.

Related