“Mos e bëj Shqipërinë Kurban!”- Shkrimtarja Elvira Dones mbështet protestat në Tiranë, thirrje Ramës: Lëre vendin të marrë frymë! Je gabimi më i madh që bëmë në 2013

June 11, 202614 views4 min read
“Mos e bëj Shqipërinë Kurban!”- Shkrimtarja Elvira Dones mbështet protestat në Tiranë, thirrje Ramës: Lëre vendin të marrë frymë! Je gabimi më i madh që bëmë në 2013
Shkrimtarja e njohur shqiptare, Elvira Dones, ka reaguar në mbështetje të protestave masive që prej 12 ditësh po zhvillohen në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Dones shprehet se po i ndjek me emocion protestat dhe i cilëson si një “mrekulli” tubimet e qytetarëve që kanë dalë në shesh për të ngritur zërin e tyre. “Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.  Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë… Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe”, shkruan ajo. Dones ndalet edhe te kryeministri Rama, duke ngritur pyetjen: “Si fle Edi Rama?”, ndërsa thotë se ai, “përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe, përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare, është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes”. Shkrimtarja kujton gjithashtu mbështetjen që i kishte dhënë Ramës në vitin 2013, duke e cilësuar sot atë zgjedhje si një zhgënjim. “Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes  shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra”, shprehet ajo. Në fund të reagimit të saj, Dones i bën thirrje kryeministrit të largohet dhe t’i hapë rrugë ndryshimit. “Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet.  Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera. Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure”, përfundon shkrimtarja. Postimi i plotë: Nuk di si fle e si zgjohet Kryeministri shqiptar; nuk kam si ta di. Platoni, në veprën e tij “Republika” përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës. Gjatë fjetjes, subkoshienca – e cila gjatë ditës normalisht shtyp e nënshtron natyrën bestiale të individit – gjatë natës nuk na lë të qetë. E vërteta dhe perceptimi vetjak i realitetit janë gjithmonë në luftë mes tyre. E mora larg e larg. Por larg jam, fizikisht, këto javë, nga vendlindja e edhe nga Zvicra, vendi adoptiv. Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional. Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë. Por ja, e kam me këtë punën e gjumit. Si fle Edi Rama? Përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe; përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare. Është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes. Hamendësoj se edhe skllevërit e administratës së tij janë në sëkëlldi, por më mirë bëjnë sepuku se të marrin guximin t’i thonë bosit: Po shkojmë në vetvrasje. Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe. Ata njerëz flenë mirë: nipat e mi flenë mirë, të moshuarit dhe brezi i ri i palidhur nga zinxhirët e partive flenë mirë.. Kush po proteston fle mirë, pasi e di që po bën diçka për vendin, sepse kur thika të ka kaluar tej e tej nuk ke më ç’të humbasësh. Por mund t’i thonë vetes se aty ishin. Protestojnë sfilitur nga ulja e kokës; sfilitur nga të qënit konsideruar flora e fauna. Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes  shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra. Errare humanum est. Shqipja jote dikur, Rama, ishte brilante. Ti ishe njeriu jashtë skemave; edhe ekscentrizmi yt na u duk i denjë për një tjetër Shqipëri. Tani Edi Rama edhe shqipja jote është varfëruar. Kur të dëgjoj e lexoj më kapin mornicat. Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet. Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera. Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure. © GjeneralKapteri Te lidhura “Mos e bëj Shqipërinë Kurban!”- Shkrimtarja Elvira Dones mbështet protestat në Tiranë, thirrje Ramës: Lëre vendin të marrë frymë! Je gabimi më i madh që bëmë në 2013 Shqiptarët e Gjenevës zgjedhin simbolikë për protestën antiqeveritare, i tregojnë karrigen pushtetit! VIDEO/ “Po qe nevoja do e gdhijmë poshtë zyrës së Ramës”- Influencerja me jastëk me vete: Tepsia do kurban, kryeministrin dhe Berishën! Kupa është mbushur LIVE/ “Shqipëria e re!”- Sot protesta e 12-të kundër qeverisë, qytetarët rikthehen në shesh: Rama jep dorëheqjen! VIDEO/ “Rama do dorëhiqet sepse populli e urren”- Flet i riu që filmoi dhunën në Zvërnec: E kanë shkatërruar Shqipërinë, protesta i ka dhënë shuplakë të madhe politikës dhe pushtetit

Related